Von der Leyen: Komisioni do ta mbështes Ballkanin me një miliard euro në fushën e energjisë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka treguar se Komisioni Evropian do ta mbështes Ballkanin Perëndimor në fushën e energjisë.
Pas takimit të Berlinit, në një konferencë të përbashkët për media, me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, ajo ka thënë se komisioni do të japë 1 miliardë euro në grante si mbështetje financiare në këtë fushë.
“Kjo krizë e pashembullt kërkon veprime dhe hapa të pashembullt. Kam kënaqësinë të deklaroj që komisioni do të japë një paketë të konsiderueshëm mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor 1 miliard Euro në grante dhe ka dy pjesë të ndryshme. Pjesa e parë është 500 milion Euro në grante si një mbështetje e menjëhershme financiare për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i vënë ato në një pozitë që në një afat shumë të shkurtër t’i mbështesim familjet në nevojë dhe bizneset në nevojë’, ka thënë zyrtarja e lartë evropiane.
Ajo ka bërë me dije se kjo paket mbështetëse do të miratohet në dhjetor të këtij viti, kurse do të vihet në dispozicion në muajin janar të vitit të ardhshëm.
“500 milionshi tjetër i eurove në grante do t’u kushtohet investimeve në infrastrukturën e energjisë. Këto janë kryesisht në gaz dhe ndërlidhjes së energjisë elektrike për të pasur një rrjet të përbashkët e në lidhje në rajon me BE dhe është me shumë rëndësi edhe theksi tek investimet te energjia e ripërtëritshme sepse kjo na jep energji të pastër dhe na krijon vende të mira pune në vendet tona”, ka thënë Von der Leyen.