Vdekja e 26-vjeçarit në vendin e punës: Gjykata ia cakton një muaj paraburgim një personi
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit një personi, lidhur me vdekjen e një punëtori në vendin e tij të punës.
Të pandehurit A.G. i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358, par. 7 (nëse vepra rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave), lidhur me par. 3 dhe 2 të KP-së.
Incidenti tragjik kishte ndodhur më 22 qershor 2026, rreth orës 08:00.
“Me datë 22 qershor, rreth orës 08:15 minuta, në lagjen Arbanë, në Prizren, në objektin banesor, i pandehuri A.G., si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri si shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, nuk e vendos në mënyrë të sigurt pompën e betonit, ku gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri i betonit për një moment rrëshqet pompa e betonit, ku nga rrëshqitja shkëputet një gyp nga pompa dhe e godet viktimën V.M., në kokë duke i shkaktuar vdekjen”, ka bërë të ditur gjykata.
Komunikata e plotë e Gjykatës Themelore në Prizren:
Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “ Asgjësimi, dëmtimi, ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës (me pasoja vdekjen e një personi).
Prizren, 24 qershor 2026– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për të pandehurin A.G., , e cila mund të zgjasë deri më datën 22.07.2026, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale, “Asgjësimi, dëmtimi, ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës nga neni 358, par. 7 (Nëse vepra rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave” lidhur me par. 3 dhe 2 të KP-së.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 22 qershor, rreth orës 08:15 minuta, në lagjen Arbanë, në Prizren, në objektin banesor, i pandehuri A.G., si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri si shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, nuk e vendos në mënyrë të sigurt pompën e betonit, ku gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri i betonit për një moment rrëshqet pompa e betonit, ku nga rrëshqitja shkëputet një gyp nga pompa dhe e godet viktimën V.M., në kokë duke i shkaktuar vdekjen.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale nga i pandehuri, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurit dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.
Duke pasur parasysh se faza hetimore është në procesin fillestar, duhet të dëgjohen dëshmitarët e rastit, të merret në pyetje i pandehurit, dhe të merren edhe prova tjera materiale, gjithashtu duke vlerësuar edhe peshën e rëndë të pasojave që janë shkaktuar në vendin e punës, Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit tani për tani është mase adekuate dhe e domosdoshme.
Gjykata po ashtu pret zhvillim të shpejtë dhe efikas të rastit nga Prokurori i Shtetit, me qëllim të zbardhjes së rastit.