Vashat e Kosovës e shkatërrojnë 9:0 Moldavinë
Kombëtarja e vashave U17 e Kosovës e ka dërrmuar 9:0 kombëtaren moldave U17 në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2023.
Kombëtarja e re dardane e udhëhequr nga Sanije Krasniqi e nisi me triumf mbresëlënës fushatën kualifikuese për Evropianin e 17-vjeçareve.
Në ndeshjen e zhvilluar në Rogozhinë u veçua Alba Shabani, e cila i shënoi hiç më pak se katër gola, përfshirë tri vetëm në pjesën e parë.
Me dy gola kontribuoi Shenarta Bela, derisa nga një gol e shënuan Rita Feka, Elona Paci dhe Aurora Mulliqi.
Ndeshjen e radhës vajzat dardane e luajnë kundër Maqedonisë së Veriut të premten, derisa në fund përballen me Shqipërinë, të hënën e ardhshme.