Ukraina thotë se ka dëmtuar me dronë ujorë një anije patrulluese ruse afër Krimesë
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha të martën se një anije patrulluese e Flotës së Detit të Zit ë forcave detare ruse është dëmtuar nga dronët ujorë ukrainas.
Agjencia e inteligjencës ushtarake tha në rrjetin “Telegram” se njësia e saj speciale, Grupi 13, e sulmoi anijen patrulluese ruse “Sergey Kotov” afër Ngushticës së Kerçit, raporton agjencia “Reuters”.
“Si rezultat i sulmit nga dronët detarë Magura V5, anija ruse Projekt 22160 Sergei Kotov pësoi dëme në sternë, në anën e djathtë dhe në anën e majtë” – thuhet në shkrim, ku shtohet se vlera e anijes është rreth 65 milionë dollarë.
Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën: “Flota ruse e Detit të Zi është simbol i pushtimit. Ajo nuk mund të jetë në Krimenë ukrainase.”
Trafiku hekurudhor u ndërpre përkohësisht nëpër urën që e lidh Gadishullin e Krimesë me territorin rus, sipas një zyrtari të emëruar nga Moska në Krime.
Edhe trafiku në autostradë ishte ndërprerë për disa orë para se të rihapej në orën 7 të mëngjesit, sipas administratës së emëruar nga Rusia, që e menaxhon këtë urë.