Ukraina ia ul dukshëm dënimin me burgim të përjetshëm ushtarit rus
Një gjykatë ukrainase të premten ia uli dënimin me burgim të përjetshëm në 15 vite burgim një ushtari rus, i cili ishte shpallur fajtor për vrasje të paramenduar.
“Sipas rezultatit të rishikimit të apelit, apeli i paraqitur nga mbrojtja është pranuar pjesërisht”, thuhet në një deklaratë të Gjykatës së Apelit në Kiev, ku shtohet se ushtari Vadim Shishimarin është dënuar me 15 vite burgim.
Shishimarin, 21 vjeç në kohën e gjykimit, ishte shpallur fajtor për krime lufte për vrasjen e një civili të paarmatosur dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
I riu nga Siberia kishte pranuar se e ka vrarë civilin 62-vjeçar, Oleksandr Shelipov, kur i moshuari ishte duke e drejtuar biçikletën në fshatin Chupakhivka, që ndodhet në verilindje të Ukrainës.
Ushtari pretendoi se e qëlloi civilin nën presionin e një ushtari tjetër përderisa ata po mundoheshin që të tërhiqeshin dhe të iknin në Rusi përmes një veture të vjedhur më 28 shkurt.