Udhëheqësi rus nga Kherson sugjeron që Shoigu të pushkatohet
Një zyrtar i emëruar nga Rusia në Ukrainë është tallur me gjeneralët e Moskës dhe ka sugjeruar që ministri i mbrojtjes të qëllojë veten për dështim në luftë, raporton Sky News.
Ky qortim i rrallë publik i zyrtarëve të lartë të Kremlinit vjen në kohën e një kundërofensivë të suksesshme ukrainase në Ukrainën jugore dhe lindore.
Në një video-mesazh katërminutësh, Kiril Stremusov, nënkryetari i rajonit të aneksuar Kherson, qorton publikisht "gjeneralët dhe ministrat" në Moskë se nuk i kuptojnë problemet në front.
"Në të vërtetë, shumë thonë: nëse do të ishin ministra të mbrojtjes që do të lejonin një gjendje të tillë, ata si oficerë mund të qëllonin veten", tha Stremusov.
"Por ju e dini se fjala "oficer" është një fjalë e pakuptueshme për shumë njerëz", shtoi ai.
Një kritikë e tillë publike dhe ofenduese ndaj njerëzve të Putinit nga majat e qeverisë është jashtëzakonisht e rrallë në Rusinë moderne.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, një nga aleatët më të ngushtë të Putinit, u emërua në postin e ministrit në vitin 2012.
Ministria e Mbrojtjes refuzoi të komentojë deklarata të tilla nga liderët rusë. Stremusov e plotësoi kritikën e tij me fjalë lavdëruese për ushtarët që mbrojtën vendin e tyre deri në vdekje, duke e krahasuar heroizmin e tyre me "udhëheqësit ushtarakë të paaftë" në Moskë. /Nacionale/