U.d i drejtorit të QKUK-së: Ndoshta po u pengon puna ime, shpërthimi lidhet me detyrën zyrtare
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari ka thënë se shpërthimi në veturën e tij private lidhet me detyrën e tij zyrtare.
Ai para mediave citohet të ketë thënë se në momentin e shpërthimit ndodhej në zyrë, dhe sipas tij, akti ka të bëjë me grupe të interesit brenda këtij institucioni.
Hajdari ka shtuar se “puna e tij po u pengon grupeve të ndryshme të interesit, qifotë financiare apo të tjera”.
“Unë si zakonisht udhëtoj me makinën time private, Kam ardhur rreth orës 8:20. Jam vendosur në parkingun e QKUK-së, pastaj kam vazhduar punën si zakonisht. Pas nja një ore e diçka, drejtori i përgjithshëm më njoftoi që ka një shpërthim në parkingun e QKUK-së. Është një mjet shpërthyes në makinën time. Konsideroj që lidhet me puna e përditshme në krye të institucionit të QKUK-së, meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem. As në të kaluarën, as tash. Konsideroj që krejt ky akt lidhet më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për të vendosurur rregull e rend në QKUK dhe ndoshta kjo punë ju pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiare, qoftë grupeve të tjera që mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së dhe të tjerë. Këto grupe nëse i kanë zgjedhur këto metoda dhe këto mjete të na frikësojnë e kanë shumë gabim. Do të jemi shumë të vendosur si asnjëherë më parë për të luftuar dukuritë negative, qoftë korruptive, qoftë abuzive” – ka thënë ai sipas "EO".