Turqia bën thirrje për armëpushim në Ukrainë - NACIONALE

Turqia bën thirrje për armëpushim në Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Vetëm disa ditë para takimit të pritur midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka bërë thirrje për një armëpushim në Ukrainë.

“Që nga bisedimet në Stamboll, fatkeqësisht, të dyja palët janë larguar shpejt nga diplomacia”, ka thënë Çavusoglu në një intervistë televizive të cituar nga agjencia AFP.

Ai më tej ka shtuar se ndërsa lufta zvarritet, situata vetëm sa përkeqësohet e ndërlikohet.

“Duhet të vendoset një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Sa më shpejt, aq më mirë,” është shprehur ai.

Çavusoglu ka bërë thirrje për një “paqe të drejtë”, të bazuar në integritetin territorial të Ukrainës.

“Duhet të fillojë një proces që do t'i sigurojë kufirin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Pa një armëpushim nuk është e mundur të flitet për ato çështje në mënyrë të shëndetshme: një armëpushim të zbatueshëm dhe një paqe të drejtë,” ka thënë ai.

Kujtojmë se pak më herët, Kremlini e ka konfirmuar takimin e Erdoganit dhe Putinit në Astana të Kazakistanit, ku do të flitet për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Lajme të ngjashme