Trumpi thotë se Izraeli është pajtuar me kushtet për armëpushim 60-ditor në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Izraeli është pajtuar me “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi për 60 ditë në Gaza.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”, Trumpi tha se gjatë armëpushimit të propozuar, Shtetet e Bashkuara “do të punojnë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, raporton televizioni BBC.
“Katarasit dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për ta ndihmuar sjelljen e paqes, do ta paraqesin këtë propozim përfundimtar. Unë shpresoj... që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse ajo nuk do të bëhet më e mirë – AJO DO TË BËHET VETËM MË E KEQE” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Izraeli nuk ka konfirmuar se është pajtuar me kushtet e marrëveshjes dhe nuk pati koment të menjëhershëm as nga Hamasi.
Njoftimi i Trumpit vjen para një takimi që ai pritet ta zhvillojë javën e ardhshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Presidenti amerikan ka thënë se në këtë takim do të jetë “shumë i vendosur”.
Trumpi tha të martën se beson që Netanyahu dëshiron që t’u japë fund armiqësive në Gaza. “Ai dëshiron. Mund t’ju them se dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën e ardhshme” deklaroi amerikani.
Rreth 50 pengje izraelite ndodhen ende në Gaza. Të paktën 20 prej tyre besohet se janë akoma gjallë.