Trumpi pas sulmit iranian ndaj ushtrisë amerikane në Jordani: "Do t'i godasim shumë fort" - NACIONALE

Trumpi pas sulmit iranian ndaj ushtrisë amerikane në Jordani: "Do t'i godasim shumë fort"

5 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se vendi i tij do ta godasë Iranin fort pas një sulmi ndaj ushtrisë amerikane në Jordani.

“Pra, është radha jonë” – tha Trumpi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se Uashingtoni do të shikojë nëse do të ketë një marrëveshje mes dy vendeve për t’i dhënë fund luftës, “por do t’i godasim shumë fort”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Garda Revolucionare e Iranit tha të martën se hodhi disa raketa balistike drejt një baze ajrore amerikane dhe një qendre ushtarake në Jordani. Në anën tjetër, ushtria amerikane tha se kishte penguar disa raketa balistike.

Trumpi tha gjithashtu se ishte njoftuar për një goditje me dron ndaj një anijeje amerikane të gazit në portin egjiptian të Mesdheut, Damietta.

Duke iu përgjigjur një raporti të agjencisë “Reuters” se Irani pritet ta pranojë dërgesën e parë prej deri në 400 raketahedhësve kinezë për mbrojtje ajrore, që shkrepin duke u mbajtur në krahë, Trumpi tha se një zhvillim i tillë do të ishte i befasishëm.

Presidenti amerikan tha më herët këtë javë se i beson homologut kinez, Xi Jinping, si dhe presidentit rus, Vladimir Putin, kur ata i kanë thënë se nuk do të përfshihen në luftë në anën e Iranit.

Lajme të ngjashme