Trumpi e mohon mungesën e armëve, thotë se po ndiqen ata që po nxjerrin të dhëna
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka mohuar raportimet se vendi i tij është duke u ballafaquar me mungesë të municionit dhe është zotuar në rrjete sociale se administrata e tij do të kërkojë “dënime me burgim të gjatë” për ata që dyshohet se po nxjerrin informata.
“ShBA-ja ka sasi masive të municioneve, sidomos të llojeve të caktuara. Për më tepër, sasi të mëdha janë duke u prodhuar dhe duke u dërguar në ShBA sipas nevojës” – shkroi Trumpi të enjten në mëngjes.
Kur lufta me Iranin ka hyrë në muajin e gjashtë, Trumpi dhe Pentagoni po ballafaqohen me gjithnjë e më shumë pyetje për gjendjen e arsenalit ushtarak, raporton televizioni BBC.
Administrata është munduar që t’i sigurojë amerikanët që rezervat amerikane të raketave mbeten të fuqishme, edhe pasi ushtria ka përdorur sasi të mëdha të armëve që prodhohen vështirë gjatë operacionit të njohur si “Furia Epike” dhe gjatë sulmeve hakmarrëse.
Televizioni amerikan, “CBS News”, raportoi se ShBA-ja ka përdorur një pjesë të madhe të rezervave globale të raketave precize me rreze të gjatë gjatë luftës, duke cituar dy burime të paidentifikuara me njohuri të drejtpërdrejtë rreth kësaj teme.