Trump në Samitin e NATO-s: Putini dhe Zelensky duan ta zgjidhin konfliktin, shpresojmë së shpejti
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po qëndron në Ankara për Samitin e NATO-s, ku ka folur me optimizëm për një marrëveshje të mundshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.
Duke folur përkrah presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Ankara, ku po mbahet samiti i NATO-s për këtë vit, Trump tha se dje pati një “bisedë shumë të mirë” me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se foli edhe me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Mendoj se të dy duan të arrijnë një marrëveshje. Është për të ardhur keq që u desh kaq shumë kohë, por mendoj se do të ketë – diçka do të dalë në dritë... Ata (Putini dhe Zelensky) duan ta zgjidhin tani… Mendoj se do ta zgjidhim. Shpresojmë së shpejti”, tha Trump, raporton CNN.
“Nuk na prek ne… Ndikon shumë më tepër në Evropë. Ne jemi atje për ta ndihmuar Evropën, por nuk ndikon në Shtetet e Bashkuara. Kemi një oqean mes nesh. Por, e dini, thjesht nuk duroj ta shoh se çfarë po ndodh”, tha Trump.
Ai u tha gazetarëve se kishte parë fotografi nga fushat e betejës në konflikt, duke thënë se “njerëzit nuk do ta besonin sa e dhunshme është”.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Është masakër dhe duhet të ndalet”, shtoi Trump.