Tre të lënduar nga një aksident zinxhiror në Gjakovë
Tre persona kanë pësuar lëndime të lehta pas një aksidenti zinxhiror që ndodhi sot në afërsi të urës së Drinit në Gjakovë.
Sipas informacioneve zyrtare, në aksident u përfshinë pesë automjete.
Dyshohet se shkaku i përplasjes ishte mosrespektimi i distancës nga njëri prej automjeteve në lëvizje, i cili goditi një veturë të ndaluar, duke shkaktuar më pas një reagim zinxhiror me përfshirjen e katër veturave të tjera.
Komandanti i Trafikut Rajonal në Gjakovë, Albin Sahatqija, ka konfirmuar se të lënduarit janë trajtuar në spital dhe tashmë janë jashtë rrezikut për jetë.
“Dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e mosmbajtjes së distancës nga automjeti i fundit. Shoferja me këtë rast e godet veturën e katërt e cila ka qenë e ndaluar, katër automjetet ishin të ndaluara, dhe pastaj nga inercioni goditen edhe tre vetura të tjera”, deklaroi ai për Klankosova.tv.