Tragjikomike: Murati na i grumbullon të gjithëve 6,8 eurot dhe na tregon se sa do të marrim për një vit - NACIONALE

Tragjikomike: Murati na i grumbullon të gjithëve 6,8 eurot dhe na tregon se sa do të marrim për një vit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Hekuran Murati, të premten na e dha “myzhden” se edhe pagat e muajit gusht do të ekzekutohen sipas shkallëve të reja tatimore, që do të thotë se të gjithë të punësuarit do të marrin nga 6,8 euro më shumë. Murati u përkujdes të na tregonte se sa është shuma e përgjithshme.

“Pagat në sektorin publik sot ekzekutohen duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi” – shkroi ai.

“Si rezultat i këtij ndryshimi, secili punonjës në Kosovë, nga ky muaj e tutje do të paguajë më pak tatim, e rrjedhimisht do të marrë pak më shumë pagë neto” – shtoi ministri Murati.

Ai e llogariti shumën vjetore që do të na shtohet në pagë me nga 6,8 euro në muaj – 81,6 euro në muaj.

Murati nuk u ndal me kaq. I grumbulloi të gjitha rritjet e punëtorëve dhe tha se bëhet fjalë për rreth 2,3 milionë euro në muaj ose rreth 27 milionë euro në vit.

Natyrisht, kjo shumë do të ndahet pastaj “kokërr për kokërr”, mes dhjetëra mijëra punëtorëve.

“Përfitimi mujor prej 6.8 euro apo vjetor prej 81.6 euro dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse e shohim në tërësi, janë rreth 2.3 milion euro në muaj apo rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti por do të mbesin në xhepat e qytetarëve” – shkroi ministri në fund.

Lajme të ngjashme