Totaj i komenton Hotit, ja tregon një lajm të Nacionales – një qytetar qanë
Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, e dikur edhe kryeministër i Kosovës, ka shkruar një status në lidhje me inflacionin, e ku ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti.
“Inflacioni 12%, masat askund, qytetarët bartin pasojat” – shkroi fillimisht z. Hoti.
Ai kritikoi edhe pushtetin, për mos ndërmarrje të ndonjë veprimi për të ulur inflacionin.
“Ndërkaq, në Kosovë masa substanciale nuk shihen askund, me përjashtim të shtesave në pensione dhe asistencë që janë të përkohshme. Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza nuk u ulën, jo se nuk ishte e përballueshme për buxhetin, por për shkak se ishte propozuar nga opozita (nga LDK-ja). Si rezultat i inflacionit, shteti inkasoi shumë më tepër të hyra, të cilat nuk i shpenzoi dhe, si rezultat, ato u zhvlerësuan së paku për 12%.” – shkroi tutje.
E në këtë postim të z. Hotit, ka komentuar edhe Shaqir Totaj, kryetar i Prizrenit. Ai ka postuar një lajm të Nacionales, e që tregon për një raport të Bankës Botërore, që thekson se inflacioni në qershorin e vitit të kaluar ishte shumë i lartë.
Ndaj këtij linku të Nacionales, kanë reaguar qytetarët, posaçërisht një qytetare, e cila ka bërë një reagim duke qarë (sigurisht është prekur nga raportimet për gjendjen e rëndë me inflacionin vitin e kaluar).
