Tha para presidentes se po ia ndërtojnë shtëpinë një qytetari: Kryetari i Klinës reagon pas raportimit të Nacionales se shtëpia nuk po ndërtohej
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka reaguar pas raportimit të Nacionales lidhur me ndërtimin e një shtëpie për një familje në nevojë.
Kjo pasi gjatë vizitës së presidentes Osmani, një qytetar i ndaloi duke u ankuar për këtë problematikë.
Edhe pse Elezaj kishte thënë se ka nisur ndërtimi i shtëpisë, Nacionale solli pamje që ndërtimi nuk kishte nisur.
E sot, Elezaj ka thënë se shtëpia do të ndërtohet në bashkëpunim me organizatën “Islamic Relief Kosova”.
REAGIMI I PLOTË:
Reagim lidhur me lajmin e publikuar në gazetën online Nacionale me titull “Kryetari i Klinës gënjen në sy të presidentes Osmani për një familje në nevojë”
Të nderuar qytetarë,
Për hirë të së vërtetës dhe korrektësisë, dua të sqaroj se ne si komunë posa jemi informuar për rastin e familjes në fjalë, muaj më parë, menjëherë kemi shprehur gatishmërinë që t`ju ndihmojmë.
Ne në mënyrë urgjente e kemi trajtuar rastin. Duke e ditur që baza ligjore mua si kryetar i komunës më lejon që të subvencionoj me një shumë simbolike për raste në nevojë, kam kërkuar që kjo të trajtohet në kuvendin e komunës dhe me vendim të datës 13.02.2023 kuvendi në mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur që të ndahet një shumë për mbulimin e pagesës së qirasë për banesë për familjen në fjalë dhe dy familje tjera në bazë të kërkesave të tyre. Pagesa u është bërë me kohë.
Po ashtu, që nga momenti që e kemi marrë kërkesën e familjes, ne jemi interesuar fillimisht për gjetjen e donatorëve dhe bashkëfinancuesve për ndërtim të shtëpisë. Për ndërtim të shtëpisë është pajtuar organizata “Islamic Relief Kosova” dhe organizata të tjera që kemi bashkëpunim të vazhdueshëm, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se familja në fjalë nuk ka pronë(truall) në Klinë.
E vetmja mënyrë ka qenë blerja e një banese. Për këtë kemi biseduar dhe kemi bërë kërkesë në organizatën bamirëse “Islamic Relief Kosova”, tek te cilët kemi hasur në mirëkuptim dhe për çka i falënderoj. Ata kanë filluar procedurat e tyre të prokurimit për blerje të banesës, për çka janë në fazën përfundimtare dhe shpresoj që shumë shpejt kryefamiljarja dhe tre fëmijët e saj do të zhvendosen në banesën e tyre.
Kabineti im në vazhdimësi është në kontakt me familjen në fjalë, e cila për shkak të kushteve jo të mira vazhdimisht është përfituese e donacioneve nga organizata të ndryshme.
Dua të theksoj se me kërkesën e kryefamiljares S.P. këtë rast nuk e kemi bërë publik dhe e kemi trajtuar me ndjeshmëri dhe nuk do ta bëja publik asnjëherë dhe në asnjë rrethanë tjetër vetëm me qëllim të informimit të saktë të qytetarëve dhe për t`ju ikur keqinformimeve. Ata edhe sot, gjatë komunikimit me kabinetin tim, kanë qenë kundër idesë që rasti është bërë publik, prandaj edhe nuk e kemi publikuar emrin e plotë, në shenjë mirëkuptimi ndaj tyre.
Komuna e Klinës në bashkëpunim me organizata të ndryshme bamirëse vetëm në vitet e fundit i ka ndërtuar dhjetëra shtëpi për familjet në nevojë dhe do të vazhdojë të përmbushë kërkesat e familjeve tjera në nevojë në bazë të mundësive që kemi.
Bashkëngjitur e gjeni vendimin e kuvendit të komunës për ndarje të mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të qirasë, ndërsa më poshtë e gjeni linkun e kërkesës së “Islamic Relief Kosova” për blerje të banesës për familjen në fjalë.