Testimi i unazës njëkahëshe, Rama: Kemi pranuar mesazhe me propozime e rekomandime
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pasi që gjatë ditës është testuar edhe një herë unaza e brendshme një-kohorë, ku do të vazhdoj edhe dy ditët e ardhshme.
Rama përmes një postimi në Faebook ka falënderuar qytetarët për durimin e tyre gjatë ditës, pasi që janë krijuar shumë kolona në trafik.
“Gjatë gjithë ditës së sotme, ne kemi bërë identifikimin e fytave të ngushtë dhe njëkahorësisht kemi pranuar mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë. Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, ka shkruar Rama.
Ai tutje ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e tyre, si edhe Task Forcën e krijuar për këtë qëllim.
“Dua të ju siguroj se ky testim si dhe testimet e mëparshme janë bërë me qëllimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e Prishtinës dhe të qyteteve tjera të cilët punojnë dhe e vizitojnë kryeqytetin”, ka shkruar ndër të tjera Rama.
