Të paktën 28 të vdekur e dhjetëra të ngujuar nga një shpërthim në një minierë në Turqi
Së paku 28 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën tokë pas një shpërthimi në një minierë thëngjilli në provincën veriore turke, Bartin.
Rreth 110 njerëz ndodheshin në minierë, kur ndodhi shpërthimi të premten. Gati gjysma e tyre ndodheshin në thellësi prej më shumë se 300 metrash, raporton televizioni BBC.
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, tha se 11 persona janë shpëtuar dhe janë duke u trajtuar.
Ekipet emergjente punuan gjatë natës duke rrëmihur gurë në përpjekje për të arritur deri te punëtorët e ngujuar.
Në minierë u panë familjarë e miq të minatorëve, duke pritur në ankthe lajme për të dashurit e tyre.