Të paktën 20 të vrarë nga shpërthimet në Somali
Së paku 20 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në sulmet me bomba të mërkurën në jug të Somalisë, tha policia e këtij shteti.
Një zyrtar policor në qytezën Marka tha se një sulmues vetëvrasës vrau 13 persona, përfshirë kryetarin e qytezës, Abdullahi Ali Wafow, si dhe disa roja sigurie e civilë. Disa të tjerë u lënduan dhe u dërguan në spital për trajtim.
Në rajonin e njëjtë, një minë shpërtheu në një treg të ngarkuar kafshësh në qytezën Afgoye, duke vrarë të paktën shtatë persona e duke plagosur mbi 14 të tjerë, sipas zyrtarëve rajonalë të sigurisë.
Nga sulmi u dëmtuan edhe disa dyqane e ndërtesa afër vendit të shpërthimit, sipas dëshmitarit Mohamed Hassan.