Tani zyrtare: Shtyhet ndeshja Prishtina - Drita
Komisioni i garave në Federatën e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar që ndeshja ndaj Prishtinës dhe Dritës, e paraparë të zhvillohet më 25 gusht është shtyrë.
Ndeshja mes "Bardhëkaltërve" dhe "Intelektualëve" do të caktohet për një datë tjetër pasi atë ditë Ballkani do ta zhvillojë ndeshjen kthyese kundër Shkupit.
Kjo veçse ishte konfirmuar para pesë ditëve për Gazetën Nacionale nga drejtori i klubit Artan Osmani, por tani është zyrtarizuar nga Komisioni i Garave.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
"Komisioni i Garave në Federatën e Futbollit të Kosovës ka vendosur që ndeshja e paraparë që të zhvillohet në enjten më 25 gusht në mes FC Prishtinës dhe FC Dritës të shtyhet.
Një vendim i tillë ka ardhur për faktin se të njëjtën datë do të zhvillohet sfida Ballkani - Shkupi në kuadër të Ligës së Konferencës në stadiumin "Fadil Vokrri" ku Prishtina i zhvillon ndeshjet si vendas.
Dueli FC Prishtina - FC Drita i takon xhiros së tretë të ALBI MALL Superligës së Kosovës në futboll.
Për datën e re të zhvillimit të këtij takimi do të njoftoheni më kohë pasi që të vendos Komisioni i Garave".