E konfirmon drejtori i Prishtinës: Ndeshja ndaj Dritës do të shtyhet - NACIONALE

E konfirmon drejtori i Prishtinës: Ndeshja ndaj Dritës do të shtyhet

4 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Kryederbi i xhiros së tretë, mes FC Prishtinës dhe Dritës nuk do të zhvillohet ashtu siç është planifikuar, këtë e konfirmoi drejtori Artan Osmani për gazetën Nacionale.

"Bardhëkaltërit" e kanë nisur mirë aventurën nën urdhrat e Ismet Munishut duke siguruar një fitore në minutat shtesë ndaj Dukagjinit vikendin e kaluar.

Sidoqoftë, ndeshja e xhiros së tretë kundër rivalit Drita që ishte paraparë të zhvillohet të enjten (25 gusht) nuk do të zhvillohet shkaku që Ballkani do ta zhvillojë ndeshjen kthyese kundër FC Shkupit. Këtë e konfirmoi edhe drejtori i klubit bardhëkalter.

"Po, ndeshja ndaj Dritës e paraparë të zhvillohet më 25 gusht do të shtyhet për një datë tjetër. Ballkani atë ditë do të luajë ndeshjen ndaj Shkupit, prandaj sfida kundër Dritës do të shtyhet", tha shkurtimisht ai për Nacionalen.

Përpos kësaj, ende nuk dihet se për cilën datë do të shtyhet kjo takim, me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) që pritet të dalë me komunikate zyrtare gjatë ditëve në vijim.

Ballkani është skuadra e vetme që po garon në Evropë dhe ka vendosur rekord historik me arritjen në raundin e play-off, ku do të përballen me klubin nga Mali i Zi, Shkupi.

Ndeshja e parë do të zhvillohet nesër në stadiumin "Kristjansson", derisa ajo kthyese në “Fadil Vokrri” pasi mbetet klubi i vetëm që plotëson kriteret e UEFA-së për ndeshje evropiane.

Fillimi i mbarë i FC Prishtinës këtë edicion

Edhe pse edicioni sapo ka nisur, Prishtina e ka nisur në mënyrën më të mirë, duke dhënë pak shpresa se mund të garojnë për titull.

Trajneri Ismet Munishi para disa javëve për Nacionalen ishte i qartë se synimi është titulli kampion, edhe pse e cilësoi si të vështirë.

Sidoqoftë, ndeshja e parë ishte hap i duhur pasi arkëtuan pikët e plota në Klinë duke mposhtur Dukagjinin me rezultat të ngushtë 1:2.

Një gol i Muhamed Useinit në kohën shtesë pas harkimit të Endrit Krasniqit (90+2’), ndikoi që Prishtina ta nis me fitore kampionatin kosovar.

Edhe xhiron e radhës, Prishtina do ta zhvillojë si mysafir, pasi do t’i shkojë skuadrës të sapo promovuar, Ferizajit.

Lajme të ngjashme