Takimi me kongresistët amerikan, Haxhiu: Shpreha mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në një postim pas takimit, Haxhiu shkroi për rëndësinë e mbështetjes amerikane për Kosovën, duke thënë se ajo është e rrënjosur në kujtesën e popullit të Kosovës.
"Kosova e ka të rrënjosur në kujtesë mbështetjen amerikane. Në momentet përcaktuese të historisë sonë moderne, Shtetet e Bashkuara qëndruan në anën e lirisë, të paqes dhe të së drejtës së popullit tonë", tha Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në rrugën e Kosovës drejt NATO-s, sigurinë rajonale dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
"Shpreha mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht për rrugën tonë drejt NATO-s, për sigurinë rajonale dhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës."