Tahiri – shefit të ZRrE-së: Kush propozoi ndarjen e 110 milionë eurove nga Qeveria për subvencionimin e energjisë elektrike? - NACIONALE

Tahiri – shefit të ZRrE-së: Kush propozoi ndarjen e 110 milionë eurove nga Qeveria për subvencionimin e energjisë elektrike?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ymer Fejzullahu, shef i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është duke raportuar para komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë këtij raportimi Fejzullahu është pyetur nga shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, se kush e ka bërë propozimin për ndarjen e 110 milionë eurove nga ana e Qeverisë për subvencionimin e energjisë elektrike.

Ndër të tjera, Tahiri gjithashtu ka pyetur se cili ka qenë importi dhe eksporti i energjisë gjatë muajit mars.

“Gjatë muajit mars kemi pasur 13 milionë euro import, 8.7 milionë euro eksport. Por të dhënat për megavat nuk i di”, ka thënë Fejzullahu.

Por sipas Tahiri këtu qëndron problemi.

“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë e paarsyeshme. Ne dyshojmë që pikërisht nuk ka pasur arsye të ngritët çmimi i energjisë elektrike për shkak se konsumi është mbuluar nga prodhimi vendor. Çmimi i prodhimit vendor nuk ka lëvizë, ndërsa ne jo vetëm që paguajmë me tarifa të shtrenjta energjinë por ndajmë edhe subvencion”, ka thënë Tahiri.

Shefi i grupit të PDK-së ka kërkuar të dhëna të detajuara shefit të ZRrE-së, në lidhje me importin gjatë muajve janar, shkurt, mars, prill, koha kur Kosova i ka ndarë 110 milionë euro subvencionim.

“Sa kemi importuar megavat dhe a ka qenë e arsyeshme ngritja e çmimit të energjisë elektrike? Na i sillni në megavat për muajt e parë të vitit, deri ta ndarja e subvencioneve”.

“Kush ka qenë propozuesi për të ndarë qeveria 110 milionë euro? Më e rëndësishmja është sponsorizimi i këtij vendimi. Ai e bartë përgjegjësinë kryesore. Kush e ka sponsorizuar këtë kërkesë të tillë i cili pastaj është shndërruar në veprim”, ka thënë Tahiri.

Lajme të ngjashme