Tahiri: Për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje politike, PDK-ja nuk i nënshtrohet VV-së
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri, ka bërë me dije se kjo parti është e gatshme për bashkëpunim me subjektet tjera politike për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka theksuar se presidenti duhet të zgjidhet me konsensus.
Gjatë një interviste në “Debat Plus”, Tahiri ka vlerësuar se subjektet opozitare po tregojnë qasje konstruktive.
“Çka po shohim të tema e presidentit? Po shohim që subjektet opozitare kanë qasje konstruktive, edhe PDK-ja edhe LDK edhe Aleanca. Tash, presidenti nuk duhet me u zgjedh, një emër, me propozu një emër. Sigurisht që duhet një diskutim serioz, i akterëve, i partive politike. Është në dorën e Albin Kurtit, për shkak se e ka edhe përgjegjësinë edhe fuqinë me të madhe politike”, është shprehur ai.
Sipas tij, pa marrëveshje politike nuk mund të zgjidhet presidenti.
“PDK-ja është e interesuar që fuqinë e vet politike ta përdor që të ketë stabilitet. Por, PDK-ja nuk i nënshtrohet LVV-së, në asnjë formë. Nënkupton që për tu zgjedhur presidenti duhet me pas konsensus, duhet patjetër të arrihet marrëveshje politike, që të jenë 80 veta ulur në Kuvendin e Kosovës. Edhe me qenë votat për president”, ka thënë Tahiri.