Tahiri për kushtin e ri të Francës: S’ia patëm askujt borxh këtë trajtim eksperimental
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ,ka thënë se Bashkimi Evropian e ka kthyer në telenovelë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me diskutimin e kushteve shtesë, ka mësuar se brenda BE-së nuk ka proces dhe, sipas tij, protagonizimi i vendeve anëtare nuk hyn në lojë.
“Me diskutimin e kushteve shtesë, mësojmë dy gjëra: së pari, që nuk ka proces brenda BE-së, ku protagonizmi i vendeve anëtare nuk hyn në lojë. Kësaj radhe Franca, radhën tjetër si dihet cilit nga 27 vendet. Dhe, së dyti, edhe pse e vështirë ta faktualizojmë, mundësia që zvarritjet, siç themi ne, 'ngreh e mos e këput', të shërbejnë si levë dhe si karotë në raport me pritshmëritë për dialogun të vendeve lidere të BE-së”, ka shkruar ai.
Tutje, Tahiri ka thënë se dinamika e këtij procesi do të dëshmojë nëse pas padrejtësisë universale shumëvjeçare ndaj Republikës së Kosovës nga ana e BE-së, po bëhet diplomaci jotransparente dhe kushtëzuese dhe, sipas tij, kjo telenovelë s'i bën nder BE-së.
“Tërë këto vite janë asgjë më shumë se një qasje e gabuar dhe e padrejtë kolektive e BE-së ndaj Republikës së Kosovës në këtë proces. Si patëm borxh askujt trajtim eksperimental”, ka përfunduar Tahiri.
