Tahiri me akuza të ashpra për Qeverinë Kurti: Ka ngritur çmimet në qiell, po e zbraz Kosovën - NACIONALE

Tahiri me akuza të ashpra për Qeverinë Kurti: Ka ngritur çmimet në qiell, po e zbraz Kosovën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ngritje të çmimit te energjisë elektrike.

Ai ka thënë se me politikat e saj Qeveria Kurti po e zbraz Kosovën.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se në seancën e sotme parlamentare duhet të demaskohet mashtrimi i kësaj qeverie.

“Kjo Qeveri e ka rritur varësinë energjetike dhe ka ngritur në qiell çmimet dhe krizën sociale dhe ekonomike. Kur ishin në opozitë, dolën kundër çdo investimi ndërkombëtar energjetik. Asokohe doli kundër projekteve të linjitit ashtu edhe kundër projektit energjetik amerikan me gaz. Qëllimi i tij nuk ishte mirëqenia por lufta për pushtet. Me vendimmarrje monopoliste për shtrenjëtim të energjisë verës, ku piku dhe blloktarifat nuk marrin shumë vëmendje për shkak të konsumit të ultë, kjo qeveri ua tkurri qytetarëve standardin dhe shërbimet, i varfëroi. Ky kryeministër, nuk e ka problem që me përhapjen e krizës sociale, të jetë në krye të qeverisë e cila po e zbrazë Kosovën”, ka shkruar Tahiri, duke adresuar kritika tjera ndaj Qeverisë Kurti.

“Kalkulimet e tij dhe njerëzve përreth janë të thjeshta por fatkeqe për ne. Duke e zbrazur Kosovën, ky 'fenomen' politik, shpenzon më pal rrymë, pranon remitenca më shumë, për çmimet me të cilat pasurohet klika e tij. Krejt çfarë ka mbetur është të dërgoj Martin Berishajn në ndonjë vend ku ka më shumë diasporë, dhe ku nëse votohet në Ambasada, t'i mbushin kutitë! Kjo sot në Seancën e Jashtëzakonshme duhet të demaskohet, le të del në pah mashtrimi!”, ka shkruar Tahiri.

Lajme të ngjashme