Tahiri: Kemi të bëjmë me organizim të madh – fenomeni i shpërputhjes së fletëvotimeve me numra serikë është shumë i theksuar
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka ngritur shqetësime serioze në “Debat Plus” lidhur me integritetin e procesit të votimit në këtë komunë, duke theksuar se janë vërejtur raste të shumta ku fletët e një vendvotimi kanë përfunduar në lokacione krejtësisht të tjera.
Sipas tij, edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kompania sllovene CETIS kanë pranuar se ka pasur “gabime teknike” në numrat serikë gjatë shtypjes së fletëvotimeve, ligji është i qartë: çdo fletëvotim duhet të ketë numër serik specifik për secilin vendvotim.
“Ka raste që fletat që do të duhej të ishin në klasën 1, po supozoj në shkollën Abdullah Shabani – përfundojnë në Migjen, Ismail Qemail apo shkolla tjera që në aspekt gjeografik janë me kilometra larg njëra-tjetrës. Si është e mundshme që këto fletëvotime të jenë në lokacione të tjera. Ne e kemi një reagim nga KQZ dhe nga Kompania të cilat e pranojnë së ka pasur gabim tek numri serik kur është bërë shtypja. Por çka thotë ligji dhe rregulloret në fuqi: thonë se fletëvotimi duhet ta ketë numrin serik specifik në bazë të vendvotimit. Fletëvotimet nuk e kanë integritetin e tyre. Rrjedhimisht, procesi zgjedhor s’ka integritet. Unë shkojë edhe përtej sa në kuptim të asaj se këtu e shohim se është një organizim i përgjithshëm, sepse është një fenomen shumë i theksuar gjithandej shkollave dhe pjesëve të qytetit të Mitrovicës, të cilat e kanë dëmtuar procesin zgjedhor dhe rrjedhimisht e kanë humbur besueshmërinë.” – ka deklaruar Tahiri.