Tahiri i AAK-së tregon tri dështimet e qeverisë: Rritja e kostos së jetës, rezultati në PISA dhe politika e jashtme
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mbajtur të dielën konferencë për media, ku ka renditur dështimet e qeverisë dhe mungesën e veprimeve.
Ai ka përmendur rritjen e kostës së jetesës, rezultatin e dobtë në testin e PISA-s dhe për dështimin e qeverisë në politikën e jashtme.
Shkrimi i tij i plotë:
Në konferencën e sotme për media shpalosa dështimet e qeverisë dhe mungesën e veprimeve adekuate ndaj cështjeve që prekin direkt mirëqenien e qytetarit. Mes tjerash, theksova rritjen e kostos së jetës, rezultatin e dobët në Pisa dhe dështimet e njëpasnjëshme në Politikën e Jashtme
Përmbajtja e plotë nga konferenca:
Rritja e kostos së jetesës, e çmimeve, energjisë elektrike dhe inflacioni i pakontrollueshëm po cenon standardin e jetesës dhe ekonomitë familjare. Pra rritja e kostos së jetesës është bërë problem kombëtar. Të punësuarit janë bërë raste sociale e ata të papunët po shkojnë në varfëri të skajshme. Krejt kjo po ndodh për shkak të realizimit të ultë të buxhetit, 35% deri në shtator të vitit 2023.
Rezultatet në PISA dëshmuan që degradimi i arsimit nuk ka të ndalur i ka lënë nxënësit pa njohuri tradicionale dhe pa njohuri digjitale; Nxënësit tani as nuk shkruajnë dhe as nuk lexojnë mirë, as tradicionalisht as digjitalisht. Asnjë program mësimor që lidhë mësimin tradicional me digital literacy. Asnjë nivel i llogaridhënies për dështim në ofrimin e cilësisë, nga askush.
Arroganca ndaj shtresave vitale të shoqërisë dhe injorimi dhe ofendimi i kërkesave ndaj policisë dhe të gjitha sindikatave është bërë trend i kësaj Qeverie. Ajo u pati premtuar qeverisje përmes dialogut social. Tani forma e vetme e komunikimit në vend të dialogut janë fletërrufetë qortuese kundër kërkesave të tyre legjitime; Qeveri e cila për secilën kërkesë sindikale, ka dhjetë kritika qeveritare;
Qeveri e cila e ka kapur buxhetin dhe e trajton sikur instrument, me të cilin dëshmon dominimin mbi qytetarët dhe familjet.
Për efekte PR-i, pa asnjë efekt real, vendos si i teket për shtesa, për subvencione, për ndarjen e buxhetit për komuna, për bllokim të mjeteve;
Asnjë reflektim për rritje të pagave, për përkrahjen e sektorëve me ndjeshmëri, për investime strategjike. E gjithë energjia e fokusuar në përplasje dhe polarizim, me këdo që kritikon, kundër kujtdo që ka ndonjë kërkesë;
Skandalet në Politikën e Jashtme
Diagnoza e politikës së jashtme është: 3 vjet, asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, vendi nën sanksione, rrnoftë Gani Jakupi! Një politikë e Jashtme, që as nuk i shërben afirmimit ndërkombëtar, as përkrahjes diplomatike të pozitës së Kosovës në dialog, as anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, as afirmimit kulturor apo avancimit ekonomikë. Një politikë e jashtme, e cila mjaftohet me disa takime kulturore në diasporë dhe as që nuk e ka idenë se si mund të maksimizohet potenciali i diasporës, në vendet ku jetojnë dhe as në Kosovë;
Politikë e jashtme, e cila fokusin dhe energjitë e saj i ka reduktuar në hapësirat e kabinetit dhe korridoreve të MPJ-së. Diçka thotë ministrja sot, krejt diçka tjetër presidentja, e pastaj krejt ndryshe kryeministri.