Sveçla njofton për një aksion të Policisë dhe AKI-së: U arrestuan tre zyrtarë të MPB-së
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se janë arrestuar tre zyrtarë të këtij institucioni, pasi dyshohet se kanë kryer shërbime duke anashkaluar procedura ligjore.
Sipas tij, dy zyrtarë të arrestuar janë nga Divizioni për të Huaj dhe një nga Agjencia për Regjistrim Civil.
“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë”, ka shkruar ai.