Surroi thotë se 14 shkurti krijoi “pushtet me duar të pastra”, por duket i zhgënjyer me Qeverinë Kurti
Veton Surroi, opinionist i njohur, ka shkruar kolumnen e tij javore në “Koha”, në të cilin ka komentuar zgjedhjet në Britani të Madhe.
Në komentin e tij, Surroi ka shkruar edhe në lidhje me zgjedhjet e kaluara në Kosovë. Për këtë temë, ai ka pasur një interpretim interesant.
Surroi ka shkruar se zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 kanë krijuar një pushtet me duar të pastra. Megjithatë, Surroi ka tingëlluar një çikë i zhgënjyer, pasi ky pushtet me duar të pastra nuk dëshmoi “aftësi për të hyrë në punë në sektorë të ndryshëm jete”.
“Kosova ishte në dilemën e ngjashme politike në çfarë gjenden Franca e SHBA. Në zgjedhjet e kaluara, një numër i madh votuesish doli për të kundërshtuar pushtetet korruptive, të kapjes së shtetit, të dhunës politike e të jokompetencës së plotë pos në hajni. Zgjedhjet e kaluara krijuan një pushtet të duarve të pastra, por jo domosdoshmërisht një pushtet në të cilin ato duar të pastra dëshmojnë aftësi për të hyrë në punë në sektorë të ndryshëm jete” – ka shkruar ai.