Sulm me armë ndaj rekrutëve ushtarakë rusë, 11 të vrarë në Belgorod të Rusisë
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, ka raportuar se dy persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj rekrutëve ushtarakë rusë, duke lënë të vrarë 11 persona në një terren stërvitor në rajonin Belgorod të Rusisë.
Sipas TASS, sulmi ka ndodhur gjatë një seance stërvitore në Qarkun Ushtarak Perëndimor, ndërsa thuhet se personat e armatosur ishin nga shtetet ish-sovjetike.
Sulmi që ka lënë të vrarë 11 persona, është cilësuar nga zyrtarët rusë si një akt terrorist.
“Si rezultat i një sulmi terrorist në një terren trajnimi ushtarak në rajonin e Belgorod, 11 persona u vranë, 15 u plagosën dhe po marrin ndihmë mjekësore”, ka raportuar TASS.
Sipas TASS, dy personat që kryen "aktin terrorist", po ashtu janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit në terrenin e stërvitjes.
