Zhvillimet kryesore të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë
Përderisa lufta Ukrainë-Rusi është duke vazhduar, dita e sotme është shënuar me zhvillime të rëndësishme. E Nacionale ju sjell të përmbledhura shkurtimisht disa nga ngjarjet më kryesore të lidhura me konfliktin.
- Kiev Independent, ka raportuar se forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet ruse pranë 11 vendbanimeve. Sipas shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës, forcat ruse po përpiqeshin të përparonin pranë vendbanimeve Novosadove, Yakovlivka, Berestove, Bakhmut, Bakhmutske, Opytne, Krasnohorivka, Nevelske, Pervomaiske, Mariinka dhe Pobieda.
- Irani ka kundërshtuar sërish akuzat se ka furnizuar Rusinë me armë “për t'u përdorur në luftën në Ukrainë”. Kjo temë pritet të diskutohet nga ministrat e jashtëm të BE-së në një takim në Luksemburg të hënën, ndërsa në një deklaratë të dhënë, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, "theksoi se Republika Islamike e Iranit nuk ka siguruar dhe nuk do të sigurojë asnjë armë për t'u përdorur në luftën në Ukrainë".
- Rusia ka vazhduar përpjekjet për të goditur infrastrukturën energjetike të Ukrainës, por nuk ka pasur raportime për ndonjë sukses të rëndësishëm. Është bërë e ditur se një raketë ka dëmtuar një objekt kyç energjetik në rajonin përreth kryeqytetit të Ukrainës dhe 10 raketa dhe katër dronë kanë goditur vendndodhjet në qytetin juglindor të Zaporizhzhia-s.
- Në një postim në Twitter, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka zbuluar identitetin e “Fantazmës së Vinnicës” që kishte zëvendësuar “Fantazmën e Kievit”.
- Vendet anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar lëshuan një thirrje pothuajse unanime për Rusinë që t'i japë fund luftës së saj në Ukrainë, duke e quajtur konfliktin faktorin e vetëm më të madh që po nxit inflacionin dhe ngadalëson ekonominë globale.
- Sipas projektit "Belarusian Hajun", Ministria e Jashtme ruse ka konfirmuar ri-pajisjen e avionëve bjellorusë Su-25 për të mbajtur armë bërthamore.

