Shqetësuese: ai që e quajti Putinin “dritë ndiçuese për Perëndimin”, zgjidhet kryetar i parlamentit italian
Lorenzo Fontana, politikan pro Rusisë dhe kundër homoseksualëve, u zgjodh të premten kryetar i dhomës së ulët të Parlamentit të Italisë, një ditë pasi një ligjvënës nacionalist, që mbledh gjësende të vjetra fashiste, u bë kryetar i Senatit.
Votimi për kryetarët e dy dhomave të parlamentit italian u bë pas zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, në të cilat fitoi treshja e partive konservatore – “Vëllezërit e Italisë” e Giorgia Meloni-t, “Lidhja” e Mateo Salvini-t dhe “Forca Italia”, që udhëhiqet nga ish-kryeministri i famshëm, Silvio Berlusconi.
Zonja Meloni pritet të emërohet kryeministre para fundit të muajit, por formimi i kabinetit qeveritar po del të jetë proces shumë më i vështirë sesa që është pritur. Berlusconi nuk është i kënaqur për shkak të refuzimit të Meloni-t që t’ia plotësojë kërkesat për disa poste kyçe në kabinet, raporton agjencia “Reuters”.
Lorenzo Fontana njihet për pikëpamjet e tij konservatore e euroskeptike. Ai vazhdimisht e ka çmuar presidentin rus, Vladimir Putin. Më 2018, Fontana kishte thënë se presidenti rus është “dritë ndriçuese edhe për ne në Perëndim”.
“Ne duhet të kthejmë një pjesë të krenarisë për atë se kush jemi”, tha Fontana të premten në Kuvend.
Francesco Galietti, themelues i kompanisë për këshillim politik, “Policy Sonar”, tha se ngritja e Fontana-s në këtë post përbën rrezik që të minohet zotimi i zonjës Meloni se qeveria e saj do të jetë pro-perëndimore dhe se do ta përkrahë luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
“Për të gjitha përpjekjet e saj për ta pozicionuar veten si atlanticiste e vendosur, Meloni tash ka një mik të Moskës si kryetar të shtëpisë nën mbikëqyrjen e saj. Kjo është e keqe dhe Meloni e di këtë”, tha ai.
Fontana është figurë e njohur në Itali. Dikur ka thënë se martesa mes personave me gjini të njëjtë dhe imigrimi masiv përbënin rrezik për t’i zhdukur traditat e Italisë dhe është kundërshtar i vendosur i abortit.
Kryetari i ri i dhomës së ulët të parlamentit vazhdimisht ka bërë thirrje për shfuqizimin e një ligji anti-fashist dhe anti-racist të vitit 1993, sipas të cilit cilësohet krim propagandimi i “ideve të mbështetura në superioritetin ose urrejtjen raciore ose etnike”.
Ai vazhdimisht ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian t’ia heqë Rusisë sanksionet e vendosura pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Ukraina më 2014.
Më 2018 ai tha: “Jam ngazëllyer për së mbari nga shumë deklarata të Putinit dhe nga zgjimi i madh i krishterë që po shihet në këtë vend.”/Nacionale

