NATO: Putin po përpiqet ta përdorë dimrin si një armë lufte
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka ripohuar komentet e bëra edhe më parë në lidhje me përpjekjet e Rusisë për ta vështirësuar dimrin në Ukrainë.
Në konferencën e mbajtur për shtyp ai tha se, “Rusia po përdor sulme brutale me raketa dhe drone për ta lënë Ukrainën të ftohtë dhe të errët këtë dimër".
Më tej, Stoltenberg u zotua se NATO nuk do të tërhiqet dhe do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të ketë nevojë. Ndërkohë që i pyetur për anëtarësimin e vendit në NATO, ai u shpreh se ajo çështje vazhdon të jetë në tavolinë.
Stoltenberg po ashtu ka dhënë komentet e tij lidhur me përfundimin e luftës, ku sipas tij lufta ka mundësi të përfundojë në tryezën e bisedimeve. Ai po ashtu tha se, NATO do të ndihmojë në riparimin e infrastrukturës së dëmtuar të energjisë në Ukrainë.
"Kjo ka të bëjë me mbrojtjen, ka të bëjë me riparimin dhe zëvendësimin e infrastrukturës së tyre energjetike dhe ne po i bëjmë të gjitha gjërat në të njëjtën kohë," u shpreh Stoltenberg.
