Specialja nuk e konfirmon lirimin e Gucatit: Kur nxirret një vendim do të jetë i disponueshëm në faqen tonë
Sot gjatë ditës në mediet e Kosovës është raportuar se Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së, është liruar nga paraburgimi nga Gjykata Speciale në Hagë.
Më saktësisht, kështu pretendoi Faton Klinaku, ushtrues detyre i OVL të UÇK-së. Ai ka thënë se për këtë vendim është informuar dje nga avokatët mbrojtës.
“Unë këtë lajm e di prej dje, nga ana e avokatëve. Pra, është marrë vendim për lirimin e Hysni Gucatit. Për Nasimin jo. Për Nasimin kanë thënë se do të rishqyrtohet vendimi pas dy muajve.” – deklaroi Klinaku për Nacionalen.
Por një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar Gjykata Speciale.
“Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara.” – deklaroi një zëdhënës i Speciales për Express.