“S’patëm kohë”: Ministria e Ekonomisë konfirmon atë që raportoi Nacionale për gurin që s’iu dha Osmanit
Ministria e Ekonomisë ka reaguar për raportimin e Nacionales në lidhje me refuzimin e kësaj ministrie për t’ia dhënë një gur minerar të ndërmarrjes “Trepça”, të cilin presidentja Vjosa Osmani kishte planifikuar të i dhuronte presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në ceremoninë e inaugurimit të “Bordit të Paqes”.
Në reagim, ministria konfirmon pikërisht raportimin e Nacionales se Drejtor i Departamentit të Minierave, Skender Sallahi, i ishte përgjigjur Presidencës, duke thënë se nuk mund të realizohet kërkesa e tyre, me “kohën e shkurtër” të përdorur si arsye të refuzimit.
"Dhurimi apo shkëmbimi mund të realizohet vetëm me vendim përfundimtar, pas rekomandimit të dhënë nga komisioni profesional. Rrjedhimisht, për përmbylljen e këtij procesi, afati kohor ka qenë tejet i shkurtër." - thuhet ndër tjera në reagim.