Spahiu: Kurti po kërkon pushtet në Shkup, pasi dështoi në Tiranë - po tenton të krijojë një konflikt politik
Ish-udhëheqësi i partisë për Bashkim Kombëtar, Kreshnik Spahiu, ka komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë Veriore.
Spahiu në Euronews Albania ka thënë se Kurti po kërkon pushtet në Shkup pasi sipas tij, dështoi që ta merrte në Shqipëri.
“Ai pasi tentoi të rrëzojë qeverinë e Tiranës po tenton të rrëzojë qeverinë e Shkupit. Albin Kurti hyri në zgjedhje në Tiranë, ai doli me 300 vota në zgjedhjet e 2021, pra kërkoi hapur pushtet në Shqipëri, duke parë se dështoi dhe nuk pati mbështetje me vota në Shqipëri, po tenton të krijojë një konflikt politik duke bërë një aleancë me opozitën në Maqedoninë e Veriut."
“Aleanca që ai mund të ketë me Sali Berishën apo me faktorin opozitar në Maqedoni nuk janë të ndaluara me ligj, por do ishin të mirëpritura nëse do kishin aleancë me të gjithë partitë.Një parti e ashtuquajtur patriotike, siç është Vetëvendosje, duhet të ketë në thelbin e saj aleancë gjithë shqiptarë, shqiptarizmi mbi interesat partiake, të mos bësh dallim, socialist apo demokrat, në qeveri apo në opozitë.” – ka thënë ai ndër të tjera.
Kujtojmë se vizita e Kurtit në Maqedoninë Veriore është komentuar me të madhe aq sa ka nxitur reagime edhe nga udhëheqësit e lartë të shtetit të Maqedonisë Veriore.
