Vizita në Tetovë: Qeveria Kurti i reagon Vuçiqit rreth Shqipërisë së Madhe, ia përmend Botën serbe - NACIONALE

Vizita në Tetovë: Qeveria Kurti i reagon Vuçiqit rreth Shqipërisë së Madhe, ia përmend Botën serbe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoni të Veriut janë që shkoi, ka ngjallur shumë reagime. Përveç krerëve të shtetit maqedon, politikanëve në Kosovë, atë e komentoi edhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, duke e akuzuar Kurtin se e promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë. Në lidhje me këtë prentendim të Vuçiqit, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, Vuçiq është nisur nga vetja e tij kur e ka akuzuar Kurtin se e promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Madje, Qeveria e Kosovës theksoi se Vuçiq po insiston për Sebinë e Madhe, që tash po njihet me termin Bota serbe.

“Vizita e Kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të rrugës që lidhë fshatin Vicë me fshatin Sellcë. Në mes të muajit qershor, po ashtu me ftesë kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Prespës, në Strugë, në kuadër të së cilit ai kishte zhvilluar takime edhe me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkaq që sa i përket nivelit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ne kujtomë që dy qeveritë për të herë të parë kishin mbajtur një mbledhje të përbashkët në shtator të vitit 2021, si rezultat i marrëdhënieve të mira dhe interesave të përbashkëta. Komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt. Siç duket Vuçiq është nisur nga vetja e tij, insistimi në Serbi të Madhe edhe pas katër luftërave të humbura me emrin Bota serbe, dhe na akuzon neve kot”,i tha Kryeziu RTV Dukagjinit.

Por çka pretendoi Vuçiq?

Dje, pra të dielën e 13 gushtit, Vuçiq foli rreth vizitës së Kurtit në Tetovë, të cilën e cilësoi si skandal, pasi, sipas presidentit serb, u promovua ideja e Shqipërisë së Madhe.

“Ajo që ndodhi dje në Maqedoninë e Veriut, pra vizita e Kurtit në Tetovë, është skandal skandalesh. Aty u promovua ideja e “Shqipërisë së Madhe”, u shfaqën simbolet e Shqipërisë së Madhe.” - deklaroi Vuçiq për TV Pink.

Përveç kësaj, Vuçiq u mor edhe me figurën e veprimtarit të shquar kosovar, Adem Demaçi, pasi Kurti e përuroi një rrugë në emër të tij në Çair.

“Demaçi është një njeri që kaloi 28 vjet në burg, në kohën e Titos që ishte liberal për atë kohë, si ideologu dhe separatisti më i keq dhe më i madh i ‘Shqipërisë së madhe’. Demaçi ishte mentor dhe idhull i Kurtit.” – ka thënë Vuçiq.

Ndryshe dje Zyra e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dënuar shfaqjen e flamurit me mbishkrimin “Autoctonus”, që u shfaq në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së kryeministrit Kurti. Sipas zyrës së Kovaçevskit, një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.

“Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SVR Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.” – thuhej në reagimin e Zyrës së Kovaçevskit.

Lajme të ngjashme