Skënder Hyseni e quan "skandal" sjelljen e Abdixhikut ndaj presidentit shqiptar
Ish funksionari LDK-së, Skender Hyseni ka kritikuar kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun, i cili thuhet se ka refuzuar takimin me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në kuvend.
Hyseni ka shkruar se pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar, duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së.
“Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me krerët e partive politike, thuhet në njoftimet e medias.
Ndërkohë që thuhet poashtu se “Kreu i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paska refuzuar takimin me presidentin Bajram Begaj, duke mos respektuar ftesën e presidentit për t’u takuar në selinë e Kuvendit”.
Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së.
Pa dashur të futem në detajet e protokolit, me duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare”, ka shkruar Hyseni.

