Situata në veri, Osmani takohet me komandantin e KFOR-it
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në orët e mbrëmjes të së hënës ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.
Nga Presidenca e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje rreth këtij takimi, vetëm u bë e ditur se është biseduar për zhvillimet e fundit dhe sigurinë në vend.
“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, më të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit dhe sigurinë në vend”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Pas protestës së djeshme nga ana e serbëve në veriun e Kosovës, KFOR-i e ka pranuar se brenda protestuesve në Jarinjë mund të ketë pasur grupe të organizuara kriminale.
Siç thuhet në komunikatën e KFOR-it, angazhimi i tyre në atë pjesë të Republikës së Kosovës është bërë për arsye parandaluese të sigurisë.
“Sot, pas koordinimit aktiv me të gjitha palët, Forca e Kosovës – KFOR-i, Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”, thuhet fillimisht.
