Situata në LDK, Kasolli: Edhe nëse Abdixhiku i mbijeton votëbesimit, do të jetë kryetar i brisht që nuk jep shpresë
Përgatitjet për hedhjen në votim formal për shkarkim të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë duke u ndërmarrë.
Opinionisti Afrim Kasolli duke komentuar situatën në të cilën gjendet Abdixhiku, tha se edhe po të mbijetojë si kryetar partie, ai do të jetë “kryetar fragjil.”
“Se cili do të jetë epilogu i këtyre nënshkrimeve dhe i kësaj iniciative mbetet të shihet sepse siç thashë jo shumë kohë më parë zoti Abdixhiku e tejkaloi një test të tillë, mirëpo edhe nëse ai arrin të mbijetojë si kryetar, padyshim është një kryetar fragjil dhe që nuk jep shpresë se ky subjekt politik do të jetë funksional dhe do të ketë unitet të mirëfilltë të brendshëm për t’u ballafaquar me oponentët e jashtëm politikë.
Pra, shihet që konflikti tashmë tepër është zhvendosur kundër njëri-tjetrit në Lidhjen Demokratike të Kosovës sesa kundër po e zëmë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që e cila po gëzon një pushtet dhe një hegjemonizëm të jashtëzakonshëm politik në vend”, tha Kasolli për Ekonomia Online.