Shtyrja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Çitaku: Këto vonesa të turpshme nuk kanë më asnjë lidhje me drejtësinë - NACIONALE

Shtyrja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Çitaku: Këto vonesa të turpshme nuk kanë më asnjë lidhje me drejtësinë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ta shtyrë sërish shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktgjykimi në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është caktuar të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00.

Çitaku e ka cilësuar shtyrjen e re si të papranueshme, duke thënë se vonesat e tilla nuk mund të lidhen më me drejtësinë.

“Edhe dita e shpalljes së aktgjykimit po shtyhet sërish. Këto vonesa të turpshme nuk kanë më asnjë lidhje me drejtësinë. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se vonesat mund ta shtyjnë vendimin, por jo ta ndryshojnë, siç është shprehur, të vërtetën.

“Vonesat mund ta shtyjnë aktgjykimin, por nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën”, ka deklaruar nënkryetarja e PDK-së.

Në reagimin e saj, Çitaku ka shtuar se beson në drejtësi, por jo në atë që e ka quajtur drejtësi politike.

“Ne besojmë në drejtësi. Jo në drejtësi politike, por në drejtësi të vërtetë. Drejtësi për çlirimtarët. Drejtësi për historinë. Drejtësi për të ardhmen”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka shtuar se pret që, në fund, drejtësia të flasë për Kosovën dhe për UÇK-në.

“Besojmë se, më në fund, do të flasë drejtësia. Për Kosovën. Për UÇK-në”, ka përfunduar ajo.

Lajme të ngjashme