Shtyhet ndeshja e së dielës mes Ballkanit e Prishtinës, sepse kampioni luan në Evropë të enjten
Ndeshja e Superligës mes Ballkanit dhe Prishtinës e kësaj të diele është shtyrë për një datë të papërcaktuar, për shkak të angazhimit të kampionit në fuqi në garat evropiane.
Ndeshja në Suharekë ishte paraparë me orar të luhej të dielën në mesditë, por u shty për kohë të pacaktuar për shkak se Ballkani do të luajë tri ditë më herët, të enjten, në Prishtinë kundër Slavia Prahas në Ligën e Konferencës.
“Komisioni i Garave i Superligës, ka marrë vendim për ta shtyrë këtë ndeshje për një kohë të pacaktuar”, njoftoi Prishtina në rrjetet sociale.
Klubit nga Suhareka i janë shtyrë edhe dy ndeshje më herët pikërisht për shkak të angazhimit edhe në Ligën e Konferencës.
Për Prishtinën, shtyrja e kësaj ndeshjeje vjen në një kohë të keqe, duke qenë se bardhekaltrit e udhëhequr nga Ismet Munishi janë në një ecuri prej tri fitoresh radhazi.