“Shpresoj të mos ndodhë më kurrë” – Don Xhoni pranon fajësinë dhe dënohet për armëmbajtje pa leje
Pas pranimit të fajësisë, reperi Xhonatan Isufi, i njohur për publikun me nofkën Don Xhoni, është dënuar me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari, i akuzuari Isufi është deklaruar fajtor.
“Ndjehem shumë i penduar dhe shpresoj të mos ndodhë më kurrë”, ka thënë Isufi.
Ky pranim i fajësisë, nuk u kundërshtua nga prokurori Bajraktari dhe më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësi i çështjes Kushtrim Shyti.
Aktakuza ndaj Xhonatan Isufit, u ngrit në muajin gusht të vitit 2022.
Në aktakuzë thuhet se, nga data e pacaktuar e deri më 27 qershor 2022, i pandehuri Isufi në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën e zjarrit pistoletën e tipit “Cervena zastava” me një karikator dhe gjashtë fishekë të kalibirit 7,65 mm.