Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm njofton për "shkeljet ligjore në MPJD" - NACIONALE

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm njofton për "shkeljet ligjore në MPJD"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm është shprehur e shqetësuar për shkeljet ligjore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të udhëhequr nga ministrja Donika Gërvalla.

Sipas komunikatës të kësaj shoqate, janë përmendur shkeljet ligjore që po i bën MPJD-ja me emërimet në këtë ministri.

Gjithashtu në njoftim janë përmendur edhe mungesa e caktimit të drejtorëve në deparatamentet e ndryshme.

Njoftimi i plotë:

Shkeljet ligjore në MPJD: “Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm” më shumë se 21 muaj, 13 Departamente pa Drejtorë e 9 divizione pa Udhëheqës.

Pjesa e parë Prishtinë, 16 nëntor 2023 – Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm përmes kësaj komunikate nënvizon shqetësimet në lidhje me sistemimin dhe mos plotësimin e vendeve të punës në pozita udhëheqëse në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD). Aktualisht në MPJD është një “Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm” i cili jashtëligjshëm (pa konkurs, i ngritur në pozite nga disa nivele më të ulëta dhe nga ish-Ministria e Diasporës pa përvojë në bërjen e politikës së jashtme) emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike dhe përnjëherë me Vendimin e Zëvendëskryeministres/Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës numër 08/2022 të datës 10.01.2022 caktohet zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së.

Nga data 10 janar 2022, pozita e “Sekretarit të Përgjithshëm” është “uzurpuar” me “zëvendësues” në kundërshtim me të gjitha normat dhe legjislacionin paraprak dhe atë aktual në fuqi të Republikës së Kosovës (Ligji nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, neni 35). Si rezultat, të gjitha vendimet e nxjerra nga “Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm” pas datës 10.01.2023 kanë pasoja juridike. Metodat uzurpuese nuk ndalojnë vetëm me pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm pasi që për një përiudhë pothuajse dy vjeçare në MPJD në Prishtinë, sipas Rregullores (ZKM) nr. 01/2022, janë 13 Departamente kyçe, por 6 nga këto departamente nuk kanë Drejtorë.

Pa drejtorë kanë qenë edhe departamente të fushave kryesore e të rëndësisë së lartë për vendin, si “Departamenti për Evropë, BE dhe Rajon”, “Departamenti për Amerika”, “Departamenti për NATO dhe Politika të Sigurisë”, “Departamenti për Diplomaci Publike”, “Protokolli i Shtetit”, “Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate” etj. Është edhe më shumë shqetësuese, por mbi të gjitha jashtë çdo norme ligjore, centralizimi i këtyre fushave kryesore dhe të rëndësisë së lartë për vendin tek pozita e “Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm”.

Sipas Rregullores së njëjtë, këto departamente kanë 31 divizione (njësi vartëse). Fatkeqësisht, 9 divizione nuk kanë Udhëheqës, ndërkaq së fundmi janë emëruar 3 “Zëvendësues të Udhëheqësve të Divizionit” pa konkurs, pra pa konkurrencë të hapur në krahasim me kolegët që janë më kompetentë e kanë më shumë përvojë pune. Kjo nënkupton se përveç se rreth 40 % e divizioneve nuk kanë udhëheqës, me aplikimin e metodave të tilla klandestine po ushtrohet edhe pabarazi në punë dhe në karrierë duke shkelur kështu parimet bazë të Kushtetutës së vendit. Këto të gjetura janë vetëm disa nga parregullsitë e hasura në MPJD.

Në të ardhmen Sindikata do të njoftojë opinionin publik edhe për të gjetura tjera veç e veç. Vërejtje: Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (ShSAShJ) nga 29 mars 2017 (regjistrimi i rikonfirmuar më 19 qershor 2023) është organizatë vullnetare, jopolitike dhe e pavarur, që mbron interesat e anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Anëtarët e saj, në përputhje me programin dhe statutin e vet, në mënyrë të organizuar realizojnë dhe mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre profesionale, ekonomike, sociale, kulturore si dhe interesat tjera. Statuti i ShSAShJ-së bazohet në dispozitat e Ligjit nr. 04/L-011 për Organizimin Sindikal në Kosovë si dhe dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 04/2020 për Rregullimin dhe Përcaktimin e Kritereve dhe Procedurave për Regjistrimin e Organizatave Sindikale.

Lajme të ngjashme