Shneta: Dhëndri i Mimoza Kusari-Lilës emërohet në Bordin e Ankesave në AKPM
Dhëndri i Mimoza Kusari-Lilës, shefes së grupit parlamentar të VV-së, ka marrë pozitë në një institucion të rëndësishëm shëndetësor.
Siç raporton Gazeta Shneta, bëhet fjalë për Shkumbin Spahiun që është emëruar në Bordin e Ankesave në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Vendimin për emërim e ka bërë ushtruesja e detyrës së ministres, Dafina Gexha-Bunjaku.
Bordi ka tre anëtarë që emërohen nga ministri i Shëndetësisë bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Gexha-Bunjaku ka emëruar Meliza Qorraj, Shkumbin Spahiun dhe Gëzim Berishën.
“Shkumbin Spahiu është bashkëshorti i motrës së deputetes dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila. Spahiu po ashtu është drejtor ekzekutiv në një organizatë joqeveritare e cila bashkëpunon edhe me bashkëshortin e Kusari-Lilës, Arben Lila”, thuhet në raportimin e Gazetës Shneta.
Bordi i Ankesave në AKPM është organ mjaft i rëndësishëm, thuhet më tej, i cili themelohet bazuar në nenin 8 të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Ky Bord sipas këtij neni, ka përgjegjësi për shqyrtimin e çdo ankese të ngritur nga një subjekt ose person fizik, përkitazi me vendime të nxjerra nga AKPPM, në bazë të këtij ligji dhe akteve nën-ligjore të nxjerra në pajtim me këtë ligj.
Kujtojmë se javën e kaluar Nacionale kishte raportuar edhe për një punësim tjetër, por kësaj here në familjen presidenciale. I vëllai i presidentes Vjosa Osmanit, Ramadani, ishte afër të merrte pozitën e mbikëqyrësit të lartë bankar në Bankën Qendrore të Kosovës.
