Shkon në 36 numri i viktimave të rrëshqitjes së dheut në Venezuelë
Ka shkuar në 36 numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Venezuelë, ndërkohë 56 të tjerë janë zhdukur. Në qytezën Las Tejerias, dheu mbuloi disa shtëpi.
Rreth 1.000 pjesëtarë të ekipeve të ndihmave po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, raporton televizioni BBC.
“Po mundohemi të shpëtojmë këdo që mundemi dhe ua shprehim ngushëllimet tona të gjithë atyre që kanë humbur një të dashur”, tha nënpresidentja e vendit, Delcy Rodriguez.
Presidenti Nicolas Maduro ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Mediet lokale raportuan se në mesin e të vdekurve janë dy fëmijë.
Sipas raportimeve të mëhershme, numri i të vdekurve ishte 25, por ministri i Drejtësisë dhe i Punëve të Brendshme, Remigio Ceballos, u tha gazetarëve se shifra e viktimave ka shkuar në 36.
Reshjet e dendura e shkaktuan daljen nga shtrati të Lumit El Pato. Uji i vërshimeve mori me vete vetura, dyqane e shtëpi në qytezën që ndodhet rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Karakas.