Shkon në 22 numri i të vrarëve nga sulmi në Vinnytsia të Ukrainës - NACIONALE

Shkon në 22 numri i të vrarëve nga sulmi në Vinnytsia të Ukrainës

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas kreut të policisë kombëtare në Ukrainë, Ihor Klymenko, numri i të vdekurve nga sulmi raketor rus në qytetin Vinnytsia në Ukrainën qendrore është rritur në 22, përfshirë tre fëmijë.

Shërbimi i emergjencës shtetërore të vendit ka bërë të ditur se dhjetëra persona janë ende të pagjetur, ndërsa të paktën 52 persona përfshirë katër fëmijë janë shtruar në spital – ku 34 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Klymenko shtoi se vetëm gjashtë nga viktimat janë identifikuar, ndërsa njoftoi edhe për dëmtimin e më shumë se 50 ndërtesave dhe mbi 40 makinave.

Sulmi në Vinnytsia, larg vijës së frontit të luftës, ndodhi në mesditë kur rrugët ishin plot me njerëz. Nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, tha se raketat ishin gjuajtur nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi.

Ndërkohë, sulmi është dënuar edhe nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelesnky, i cili tha se, “çdo ditë, Rusia e shkatërron popullsinë civile, i vret fëmijët ukrainas dhe i drejton raketat në shënjestra civile, ku nuk ka asgjë ushtarake. Çfarë është kjo, nëse jo akt i hapur terrorizmi? Shtet vrasës, shtet terrorist.”

Sipas disa raportimeve, nga Deti i Zi janë hedhur shtatë raketa në qytet.

Lajme të ngjashme