Shkarkohet nga Policia pas 26 vitesh, Arben Visoqi akuzon VV-në për përndjekje politike: Jam ish-ushtar dhe vëlla i dëshmorit - NACIONALE

Shkarkohet nga Policia pas 26 vitesh, Arben Visoqi akuzon VV-në për përndjekje politike: Jam ish-ushtar dhe vëlla i dëshmorit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Arben Visoqi ka njoftuar se është larguar nga Policia e Kosovës pas 26 vitesh shërbim, ndërsa ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën pretendon se ka qëndruar prapa një “përndjekjeje politike” ndaj tij dhe familjes së tij.

Në një postim të gjatë në Facebook, Visoqi ka thënë se vendimi për largimin e tij nga puna erdhi pas një beteje disamujore ligjore brenda Policisë së Kosovës.

Sipas tij, procedura disiplinore kishte të bënte me postimet e tij private në Facebook, për të cilat pretendon se institucionet policore kanë vlerësuar se i kanë shkaktuar dëm imazhit të Policisë.

“Pas 26 vitesh pune me përkushtim maksimal dhe dinjitet të lartë njerëzor dhe ligjor, si punonjës dhe si epror në Policinë e Kosovës, sot mu dha vendimi për largim nga puna”, ka shkruar Visoqi.

Ai pretendon se rasti disiplinor ndaj tij ishte iniciuar nga Vetëvendosje përmes një ankese anonime.

“Rasti disiplinor më është inicuar nga Vetëvendosje me ankesë anonime”, ka deklaruar Visoqi, duke pretenduar se persona brenda Policisë e kanë shfrytëzuar rastin për t'u hakmarrë ndaj tij për shkak të raporteve sinjalizuese që thotë se kishte bërë.

Visoqi ka shkuar edhe më tej me akuzat ndaj partisë së Albin Kurtit. Ai pretendon se kishte marrë paralajmërime nga burime brenda Vetëvendosjes se po përgatitej një plan kundër tij dhe familjes së tij.

“Burime nga Vetëvendosje më kanë çu fjalë dhe paralajmëruar për planin që po përgaditej nga zyra e tyre kundër meje dhe familjes”, ka shkruar ai.

Visoqi e ka lidhur procedurën ndaj tij edhe me një vendim që, sipas tij, ishte marrë të njëjtën ditë ndaj bashkëshortes së tij.

“Sepse, të njëjtën ditë e degraduan kundërligjshëm bashkëshorten time në Postë Telekomin e Kosovës dhe po atë ditë më është inicuar procedura disiplinore ndaj meje”, ka pretenduar ai.

Ai e ka ndërlidhur këtë me lidhjet familjare me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke pretenduar se bëhet fjalë për përndjekje politike të familjarëve të Thaçit.

“Dhe, as unë e as bashkëshortja ime nuk jemi të vetmit familjar të Hashim Thaqit që përndjeket politikisht dhe familjarisht nga kjo parti dhe lideri frikacak i saj”, ka shkruar Visoqi.

Në postimin e tij, tashmë ish-polici ka theksuar edhe të kaluarën e tij dhe të familjes gjatë luftës. Ai ka deklaruar se ka luftuar për Kosovën dhe se është vëllai i dëshmorit Bujar Visoqi.

“Jam krenar me familjen time Visoqi! Jam vellau i deshmorit legjendar Bujar Visoqi! Krenar qe kam luftu per kete vend! Krenar me historine e familjes!”, ka shkruar ai.

Visoqi ka thënë gjithashtu se e konsideron privilegj lidhjen e tij familjare me Hashim Thaçin.

“Privilegj te jem dhanderr i Hashim Thaqit, daja i 3 djemve te mij! Jam shume me FAT…!”, ka shkruar ai.

Ai ka paralajmëruar se vendimin për largimin nga Policia do ta kundërshtojë në gjykatë dhe në instanca të tjera, duke insistuar se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore apo morale.

“Tani me mbetet ta mbroj te drejten time ne Gjykate dhe ne instanca tjera, i bindur ne te drejten time ligjore, por…edhe morale”, ka deklaruar Visoqi.

Akuzat e Visoqit ndaj Vetëvendosjes, drejtuesve të Policisë dhe personave të tjerë të përmendur në postimin e tij janë pretendime të tij. Nacionale do të kontaktoj policinë e Kosovës në lidhje me rastin.

Lajme të ngjashme