Shkarkohet konsulli i Kosovës në New York - S'e dëgjoi Gërvallën për ta larguar flamurin e UÇK-së - NACIONALE

Shkarkohet konsulli i Kosovës në New York - S'e dëgjoi Gërvallën për ta larguar flamurin e UÇK-së

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Konsulli i Republikës së Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, përmes një letre të siguruar nga Express, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme e ka shkarkuar atë nga pozita që mbante në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

Shkak për këtë duket të jetë kërkesa e Gërvallës për ta larguar flamurin e UÇK-së nga konsullata. Këtë e tha Krasniqi në letrën e tij drejtuar ministres Gërvalla.

“Me këtë vendim, ju sapo mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës-këto ditë kur kërkesat e tyre për shërbime arrijnë kulmin.

Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit. Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju!”, thuhet ndër të tjerash në letrën e tij.

Kujtojmë se një muaj më parë, Nacionale raportoi për kërkesën identike, pra heqjen e flamurit të UÇK-së nga konsullata në New York, me ç'rast më pas kishte ardhur deri te shkarkimi i tashmë ish-konsullit të përgjithshëm Frmyëzim Isufaj.